Dosja e Shkëlzen Hasanpapës, i dyshuar si vrasës me pagesë i bandës rivale të Capjave në Elbasan, është kthyer në një mollë sherri në institucionin e akuzës në këtë rreth. Po ndërsa pritej që ai të përgjigjej për atentatin në zemër të qytetit, ku vuri në rrezik jetën e jo pak personave, prokuroria e akuzon për plagosje e kanosje e thotë se ai ka kryer vetëm plagosje të lehtë.
Sot, prokuroria ndryshoi sërish akuzat ndaj tij duke e konsideruar si vrasësin kryesor të ngjarjes së ndodhur vitin e kaluar.
Po për çfarë konkretisht akuzohet Shkelzen Hasanpapa dhe si ra prokuroria në gjurmët e tij:
Në qershor të 2016 në qendër të Elbasanit, Hasanpapa tentoi të vriste Florenc Capjan dhe mikun e tij Bledar Muca. Ai derdhi 20 plumba në drejtim të shënjestrave, të cilët shpëtuan, pasi makina me të cilën udhëtonin ishte e blinduar. Në ngjarje mbeti e plagosur një oficere policie. Shkëlzen Hasanpapa, u identifikua si autor i dyshuar i ngjarjes pas krahasimit të ADN, që iu mor prindërve të tij. Ai u arrestua në Holandë dhe më vonë u ekstradua drejt Shqipërisë.
Analizat e ADN-së së prindërve, çojnë në arrestimin e Shkëlzenit
Për të siguruar provat e nevojshme, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është urdhëruar ekspertiza e ADN-së për prindërit e të dyshuarit Hasanpapaj. Nga ekspertiza, rezultoi se ADN-ja e gjetur në vendin e ngjarjes lidhet me shtetasit Q. Hasanpapaj dhe A. Hasanpapaj (prindërit e të dyshuarit) në raportin “nënë-bir” dhe “babë-bir”. Çifti i prindërve Q. Hasanpapaj dhe A. Hasanpapaj kanë dy fëmijë, djem. Është bërë analiza gjenetike e shtetasit S. Hasanpapaj, vëllai i të dyshuarit dhe ka rezultuar se profili gjenetik i gjendur në vendngjarje, nuk përputhet me atë të gjetur në vendin e ngjarjes.
Si ndodhi “lëmshi” në Prokurori:
Dosja në fjalë është hetuar nga katër prokurorë dhe pas më shumë se dy vitesh, u dërgua në gjykatë kur Ardian Nezha ishte në ditën e dytë të punës si drejtues i caktuar i prokurorisë se Elbasanit.
Duke mos patur kompetence për vendimmarrje në çështjet hetimore, Nezha firmosi për dërgimin e çështjes për gjykim, por njëherazi informoi me memo kryeprokuroren. Këtë të fundit e vë në dijeni se dosja Hasanpapa ka probleme, pasi prokurorët mbajten qëndrime të ndryshme dhe në fund, pozita e 20-vjeçarit është favorizuar ndjeshëm, pasi u dergua për gjykim vetëm për plagosje, në një kohë që nga pamjet filmike duket qartë se ai ka qëlluar dhjetëra herë në drejtim të shënjestrave të tij, Florenc Çapja e Bledar Muça.
/AlpeNews.al/



