Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka detajuar përmes një sërë reagimesh në rrjetet sociale risitë kryesore të projektbuxhetit të vitit 2027, duke u ndalur te ulja e çmimit të naftës, rritja e financimeve për sektorin e bujqësisë si dhe reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet e shportës bazë.
Gjatë takimeve me fermerët në zonën e Zall-Herrit dhe fshatrat e Tiranës, Koçiu bëri me dije se buxheti i ri parashikon uljen e drejtpërdrejtë të kostove të karburantit dhe një fond rekord për bujqësinë, i cili rritet me 10% krahasuar me vitin 2026.
“Me buxhetin 2027, ulim çmimin e naftës me 32 lekë/litër në pompë dhe rrisim mbështetjen për fermerët dhe bujqësinë shqiptare me 18 miliardë lekë, 10% më shumë se në vitin 2026. Do të vijojmë të mbështesim çdo fermer, që puna e tyre të shpërblehet, prodhimi shqiptar të rritet dhe produktet ‘Made in Albania’ ta bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më krenare”, deklaroi zëvendëskryeministrja.
Sipas saj, nga fondi total prej 18 miliardë lekësh i akorduar për bujqësinë – që konsiderohet më i larti i miratuar ndonjëherë për këtë sektor – rreth 3 miliardë lekë do të shkojnë posaçërisht për investime në sigurinë ushqimore, me synimin që produktet vendase të përmbushin standardet evropiane dhe të rrisin eksportet.
Pjesa tjetër e fondeve do të fokusohet te mbështetja e drejtpërdrejtë përmes Skemës Kombëtare dhe investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit.
Përveç mbështetjes për prodhuesit vendas, Koçiu u ndal edhe te lehtësirat fiskale për konsumatorët, duke njoftuar uljen e TVSH-së për artikujt bazë të konsumit të përditshëm duke nisur nga 1 janari 2027.
“Nga mëngjesi i fëmijëve te darka që mbledh bashkë gjithë familjen, pazari i përditshëm do të kushtojë më pak. Me Buxhetin 2027, nga 1 janari, TVSH-ja ulet për produktet e shportës bazë; më pak shpenzime në dyqan, më shumë mundësi në çdo shtëpi shqiptare”, theksoi ajo.


