Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme, Monika Kryemadhi thotë se akuzat e pretenduara ndaj saj për fibrën optike nuk qëndrojnë, ndaj kërkon thirrjen e dëshmitarëve, përfshirë Adrian Shatkun.
Sa për pretendimin se ka një kontratë midis dy kompanive për çështjen e interkonjeksionit, ish-deputetja thotë se s’ka asnjë shkresë që e vërteton.
“Sot unë pata të gjithë seksionin e interkonjeksionit, ato që vijnë si rezultat i eskpertimit të telefonit, ligjin e minierave dhe pjesën e deklarimit të pasurisë. Kërkova edhe thirrjen e dëshmitarëve që kanë lidhje me Adrian Shatkun, që janë pjesë e procesit për të cilin pretendohet nga organi i akuzës, një kontratë private midis dy kompanive private, të vijnë dhe të tregojnë ata se cili është sepse nga ana e dokumenteve shkresorë nuk ka asnjë dokument dhe asnjë provë, as edhe një mesazh që të vërtetojë atë që pretendon organi i akuzës. Meqë kanë një deduksion, do t’i japim një shpjegim edhe deduksionit dhe shpjegimin e deduksionit dhe e zgjidhin vetëm dy dëshmitarët dhe nga ana tjetër është edhe thirrja e Edi Ramës dhe Ministrisë së Inovacionit që ka qenë atëherë Milena Harito. Ajo thotë të vërtetën se s’ka ç’thotë, janë të gjitha shkresat me vulë e me firmë. Ndërkohë kërkon edhe për ligjin e minierave, Eduard Shalsin i cili ka qenë kryetar i komisionit për veprimtaritë prodhuese, thirrjen e Namik Koplikut, grupit të ministrisë së Industrisë”, tha Kryemadhi.
Mes dëshmitarëve të tjerë që Kryemadhi kërkon janë edhe Pirro Xhixho, Engjëll Agaçi, Ema Çoku, Marko Kazani, Përparim Spahiu, Aurora Alimadhi.
Ndërsa për deklarimin e pasurisë, Kryemadhi thotë se ekspertimit financiar i mungojnë dokumentet dhe për këtë ëshë kërkuar pavlefshmëria. Më tej, kritikon eksperten se ka informuar organin e akuzës.
“Sa i përket çështjes së analizës financiare ne kemi konstatuar mungesë dokumentacioni, të thirret ekspertja, cila është procedura dhe metodologjia që ajo ka përdorur, ne e kërkuam pavlefshëmërinë e ekspertizës. Nga ana tjetër ekspertiza financiare e ka të shkruar të zezë mbi të bardhë, kur ajo thotë në bazë të dokumentacioneve që na është dhënë nga organi i akuzës. Një eksperte financiare profesionale nuk mund të informojë organin e akuzës se deri ku shkojnë tabelat”, tha Kryemadhi.


