Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar deputetëve socialistë statutin e PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar ata që kanë shprehur kundërshtime ndaj reformës territoriale. Rama u ka theksuar ligjvënësve se miratimi i reformës territoriale është një vendim politik i Partisë Socialiste dhe se kush nuk voton pro, largohet nga partia.
Ndonëse në mbledhjen e kaluar të grupit, Vullnet Sinaj kishte shprehur hapur rezerva ndaj reformës territoriale, burime për gazetaren Raziela Myslimaj, bëjnë me dije se ligjvënësi socialist ka ndryshuar qëndrim.
Në mbledhjen e grupit, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të PS-së që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër reformës.


