Më shumë se 100 avionë luftarakë të Arabisë Saudite po marrin pjesë në ofensivën e nisur nga qeveria jemenase kundër rebelëve Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, njoftoi koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Riadi.
Sipas zëdhënësit të koalicionit, gjeneralit Turki al-Maliki, 100 avionë luftarakë morën pjesë në operacionin e quajtur “Agimi i Jemenit”, i cili filloi në orët e para të mëngjesit.
Ai deklaroi se koalicioni po ofron mbështetje ajrore 24 orë në ditë për forcat e armatosura jemenase që po luftojnë në terren.
“Që nga fillimi i operacionit kemi shkatërruar 324 objektiva me vlerë të lartë”, tha al-Maliki në një postim në platformën X.
Koalicioni njoftoi gjithashtu se po siguron mbulim ajror në ngushticën Bab el-Mandab, një nga pikat më të rëndësishme strategjike për tregtinë detare ndërkombëtare. Sipas zëdhënësit, operacionet kundër objektivave të lëvizshëm të rebelëve Huthi vazhdojnë.
Operacioni “Agimi i Jemenit” synon të mbështesë forcat qeveritare jemenase në përpjekjet e tyre për të rimarrë territoret e kontrolluara nga rebelët Huthi.


