Fluks i lartë automjetesh është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, duke shkaktuar kolona kilometrike dhe vonesa të gjata për drejtuesit e mjeteve.
Situata paraqitet më e rënduar pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, ku qarkullimi është pothuajse i paralizuar dhe automjetet lëvizin me shpejtësi shumë të ulët.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e trafikut dhe lehtësimin e qarkullimit. Megjithatë, fluksi i madh i automjeteve ka tejkaluar kapacitetin normal të këtij aksi rrugor. Ngarkesa e rënduar e trafikut lidhet kryesisht me kthimin e qytetarëve drejt Tiranës.
Drejtuesit e automjeteve që po udhëtojnë në këtë aks këshillohen të tregojnë kujdes, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të bëjnë durim për shkak të situatës së krijuar.


