Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet të një poste, brenda të cilit ndodheshin pako me porosi të ndryshme.
Ngjarja është regjistruar në rrugën “Pavarësia”, ndërsa pas marrjes së njoftimit për vjedhjen, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh nisën menjëherë punën për identifikimin e autorit.
Pas veprimeve hetimore, policia bëri të mundur identifikimin e të dyshuarit, shtetasit me iniciale E. G. 23-vjeçari u lokalizua në qytetin e Beratit, pranë zonës ku kishte braktisur automjetin e marrë.
Shërbimet e Policisë së Durrësit ndërhynë dhe e arrestuan të riun, ndërsa automjeti i vjedhur u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, E. G. u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e procedurave ligjore.


