I ftuar në podcastin “Pjaca”, nën drejtimin e Alfred Pezës, ishte Kris Maranda, i cili renditet ndër profesionistët më të suksesshëm shqiptarë në fushën e pasurive të paluajtshme, ka rrëfyer detaje nga më shumë se 25 vite karrierë në tregun amerikan.
Maranda ka kaluar vlerën e 500 milionë dollarëve në shitje pronash dhe, sipas tij, renditet në 1% të profesionistëve më të mirë të real estate në SHBA.
Gjatë bisedës, Alfred Peza e pyeti se çfarë fshihet pas shifrës prej mbi 500 milionë dollarësh në transaksione. Maranda tha se pas kësaj shifre qëndron një punë e madhe, sakrifica dhe dedikimi.
“Fshihet një punë e madhe, me sakrifica të jashtëzakonshme. Nuk besoj se kam bërë ndryshe nga gjithë shqiptarët e tjerë. Besoj te dedikimi dhe oportuniteti, duke hapur dyert e duhura”, u shpreh Maranda.
Ai tregoi gjithashtu se gjatë karrierës ka pasur mundësinë të punojë me kompani të mëdha ndërkombëtare, duke nisur nga Christie’s Real Estate.
Një tjetër shifër që tërheq vëmendjen është ajo e mbi 2 mijë transaksioneve të realizuara gjatë karrierës së tij. I pyetur nga Peza se si është e mundur të numërohen kaq shumë transaksione, Maranda shpjegoi se tregu amerikan i pasurive të paluajtshme është i organizuar dhe se të dhënat janë publike.
“2 mijë transaksione mua më duket numër shumë i madh dhe trembem ndonjëherë. Çdo vit fillon nga zero”, tha ai.
Në vijim të bisedës, Alfred Peza e pyeti për shitjen më të madhe të realizuar nga Maranda. Ai zbuloi se bëhej fjalë për një kompleks me vlerë rreth 9.5 milionë dollarë.
Sa i përket komisionit, Maranda tha se mesatarisht ai varion nga 2.5 deri në 3% në njërin krah të transaksionit.
Por, sipas tij, krahas të ardhurave që mund të gjenerohen nga një transaksion i tillë, në SHBA ekziston edhe një tjetër faktor i rëndësishëm që duhet marrë menjëherë në konsideratë: taksimi.
“Gjëja e parë që të vjen në Amerikë pas kësaj është taksimi”, u shpreh Maranda.


