Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohet në tryezën e thirrur për nesër nga kryeministri Edi Rama me institucionet e Drejtësisë dhe shoqatat e ndryshme të magjistratëve për të diskutuar mbi një skemë të re të pagave të tyre, por thotë se mbetet e hapur për një dialog që të ketë në fokus drejtësinë dhe qytetarin.
Në përgjigjen dërguar kryeministrisë, Kryetari i kësaj Gjykate, Sokol Sadushi risjell në vëmendje qëndrimin e mbajtur prej tij në mbledhjen e gjyqtarëve pak ditë më parë, se në kushtet kur çështja e pagave të magjistratëve është në duart e Gjykatës Kushtetuese, diskutimi për këtë temë do të ishte i pavend.
“Pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, shkruan kreu i GJL në përgjigjen e tij.
Sadushi megjithatë bën të qartë se ky qëndrim nuk do të thotë se mbyll hapësirën për një dialog institucional.
“Drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë. Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar. Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër”, përfundon përgjigjen e tij Sadushi.
Dy ditë më parë, zyra e kryeministrisë, kishte dërguar një tjetër email, duke kërkuar konfirmimin për pjesmarrjen në tryezë. Deri në atë moment, ftesës i ishte përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i KLGJ-së Ilir Rusi.
Shoqatat e ndryshme të magjistratëve iu kundërvunë hapur qasjes së shumicës, e cila nuk ndërmori asnjë veprim që të miratonte një formulë të re brenda 31 korrikut të këtij viti, siç udhëzonte Gjykata Kushtetuese. KLGJ dhe KLP ndërmorën vendime të posaçme duke miratuar ato vetë nivelin e pagave për muajin gusht, duke iu referuar vendimit të GJK. Situata çoi në një përplasje mes ekzekutivit dhe institucioneve të Drejtësisë. Ministria e Financave nuk miratoi veprimet e Thesarit për kalimin e pagave sipas vendimeve të KLGJ dhe KLP-së. Magjistratët u përgjigjën duke kallëzur në SPAK, ministrin e Financave dhe duke vënë në lëvizje gjykatën administrative e cila urdhëroi anullimin e vendimit të ministrit, dhe kalimin e pagave për gjykatat e prokuroritë në të gjithë vendin.
Në parlament, shumica miratoi më 18 shtator, me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidentit të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Rritja me 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur GJK. Tre ditë më pas, më 21 shtator, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dorëzuan në Kushtetuese kërkesën për pezullimin e formulës së miratuar nga parlamenti dhe shfuqizimin e saj.
Përgjigjia e Kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, dërguar kryeministrisë më datë 26 shtator 2026
“Mirëmëngjes,
Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve.
Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.
Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta.
Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar.
Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër.
Me konsideratë,
Sokol Sadushi


