Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi në Kuvend projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar një “puç kushtetues”. Sipas tij, mazhoranca po shpërfill për herë të tretë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon garancitë financiare të gjyqtarëve e prokurorëve. Bardhi tha se formula e propozuar nuk përmbush standardet e vendosura nga Kushtetuesja dhe konfirmoi votën kundër të PD-së.
“Projektligji që po diskutojmë sot nuk ka të bëjë as vetëm me gjyqësorin, as vetëm me legjislativin dhe as vetëm me ekzekutivin. Ka të bëjë me shtetin shqiptar, ka të bëjë me sistemin institucional dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Ju nuk keni vendosur të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni shtetin shqiptar, të sfidoni rendin kushtetues në vend. Shkurt, keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje.”
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk po kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Nëse do të kërkonin një rritje të re të pagës, nuk do të kishin as mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E vërteta është se prokurorët dhe gjyqtarët e Republikës po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016″, tha Bardhi.


