Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Implikimi” dhe ka arrestuar një 35-vjeçar për shpërndarje të lëndëve narkotike.
35-vjeçari me inicialet E. T., banues në Tiranë, i cili u kap në afërsi të një njësie pushimi në fshatin Bërzhitë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u sekuestruan 833 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 930 euro të dyshuara si të përfituara nga shitja e narkotikëve, si dhe automjeti që përdorte i arrestuari.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 35-vjeçari kishte siguruar lëndët narkotike me qëllim shitjen e tyre në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën e Bërzhitës dhe në Qytetin Studenti.
NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Implikimi”.
Sekuestrohen 833 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe 576 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, shumë eurosh e përfituar nga shitja e tyre dhe automjet.
Arrestohet 35-vjeçari që u kap në afërsi të një njësie pushimi, në Bërzhitë, me sasi të këtyre lëndëve, me vete, me qëllim shitjen.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën:
-833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit.
Nga hetimet dyshohet se ai i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim shitjen në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në Qytet Studenti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


