Pas shtatë vitesh në arrati, autoritetet belge kanë arrestuar në Antwerp shtetasin shqiptar Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.
Arrestimi është kryer të enjten pranë Parkut të Qytetit në Antwerp nga njësia FAST e Policisë Federale belge. Sipas mediave vendase, 52-vjeçari dyshohet se jetonte prej vitesh në qytet nën një identitet të rremë, duke iu shmangur autoriteteve që nga viti 2019.
Edhe pse nuk njihet gjerësisht në Belgjikë, në Shqipëri Gjinarari është përmendur si një nga autorët e vrasjes së Naim Zyberit, një figurë e njohur e botës së krimit në vitet ’90 në Tiranë.
Ngjarja e vitit 1997 lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale shqiptare, ku Zyberi dhe rivali i tij Arben Grori u përfshinë në një shkëmbim zjarri në Torino. Më pas, Zyberi u plagos rëndë dhe u dërgua në një spital në Milano, ku ndodhej nën mbrojtje policore.
Sipas dosjes hetimore, Grori dhe Gjinarari dyshohet se organizuan një plan për eliminimin e tij, duke hyrë në spital të maskuar si familjarë dhe duke përdorur një armë të fshehur brenda një buqete me lule. Viktima u qëllua në dhomën e spitalit, ndërsa autorët u larguan pa u zbuluar në moment.
Për këtë ngjarje, Gjinarari dhe Grori janë dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane në vitin 1999. Më vonë, Gjinarari është transferuar në Shqipëri, ku ka vijuar të vuajë dënimin.
Në vitin 2019, ai u shpall sërish në kërkim ndërkombëtar pasi u zhduk pas një vendimi gjykate për lirim me kusht, i cili më pas u rrëzua në apel. Që prej asaj kohe, ai ishte në arrati dhe rezultonte i kërkuar nga Interpol.
Pas arrestimit në Belgjikë, Gjinarari është vendosur në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit dhe ekzekutimit të dënimit.


