Raportime të ndryshme mediatike kanë ngritur pretendime për një zhvillim të mundshëm lidhur me statusin “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas këtyre raportimeve, është përfolur për një heqje ose rishikim të mundshëm të këtij vendimi, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
E pyetur nga gazetarja e Top News, Geriola Hate, Ambasada e SHBA në Tiranë nuk ka konfirmuar heqjen e statusit “non grata”, duke mos dhënë detaje të mëtejshme mbi çështjen. “Çështjen adresojeni tek DASH”, ka reaguar ambasada.
Prej dy ditësh në rrjetet sociale dhe në disa media po qarkullojnë lajme se Shtetet e Bashkuara mund t’i kenë hequr statusin “non grata” kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar as nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe as nga vetë Partia Demokratike.
I pyetur sot nga gazetarët në hyrje të Kuvendit nëse informacioni është i vërtetë, Berisha zgjodhi të mos japë asnjë koment. Ai i përshëndeti gazetarët me buzëqeshje dhe hyri në sallën e Kuvendit pa iu përgjigjur pyetjes.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte atmosfera brenda sallës. Sapo hyri, Berisha u prit me duartrokitje dhe ovacione nga deputetët e opozitës. Duke buzëqeshur, ai u shpreh shkurt “Unë erdha! U kry!”, ndërsa salla shpërtheu sërish në duartrokitje


