Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me plagosjen me thikë të 26-vjeçarit Erbion Çerraga në Lushnjë, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar vetëm pak orë pas ngjarjes.
Sipas policisë, 19-vjeçari Denis Hoxha, banues në fshatin Stan Karbunarë, dyshohet se ka goditur me thikë Çerragën pas një sherri mes tyre. I plagosuri u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, policia organizoi kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorit, duke bërë të mundur arrestimin e 19-vjeçarit brenda pak orësh.
Por ngjarja mori një tjetër kthesë gjatë kontrollit në banesën e të riut. Sipas policisë, aty u gjetën dhe u sekuestruan 48 160 euro dhe 7 200 dollarë të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim nxjerrjen në qarkullim.
Për këtë arsye, ndaj 19-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Falsifikim të monedhave”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Emri i 26-vjeçarit të plagosur nuk është i panjohur për policinë. Në shkurt të vitit 2025, Erbion Çerraga u arrestua pasi dyshohej se kishte plagosur rëndë me thikë një 26-vjeçar tjetër në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë.
Sipas hetimeve të asaj kohe, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ai kishte goditur me thikë të riun, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Për ngjarjen, Çerraga u vu në pranga dhe u procedua për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.


