Rruga kombëtare ‘Librazhd-Pogradec’ mbetet e bllokuar dhe askush nuk di të thotë se përsa kohë do të vijojë e tillë. Ajo që kishte nisur 4 ditë më parë me një çarje asfalti sot është fundosur plotësisht.
Edhe 4 familje të fshatit Dragostinje, që ndodhen pranë kësaj rruge, jetojnë me frikën se do t’u fundosen banesat
Pamjet me dron, dëshmojnë se shembja është masive, dhe nis nga maja e kodrës e përfundon në shtratin e lumit Shkumbin.
Ura ka degraduar plotësisht, asfalti ka ceduar dhe duket se është i pariparueshëm. Po kështu ndaloi puna për hapjen e by-pass provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi jeta e punëtorëve ishte ne rrezik. Situata duket se ka dalë jashtë kontrollit, pasi vetëm një dite më parë kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli tha se bypassi do hapej të hënën, ndërsa sot u detyrua të lajmërojë fundin e kësaj rruge.
“Situata paraqitet kritike. Ajo që ne shpresuam se që kishte plan rrëshqitje deri në 6 metra, rezultoi që nuk është i tillë. Rezultoi që rrëshqitjet janë aktive”, tha Kozeli.
Kozeli hodhi poshtë dyshimet se dëmtimi mund të jetë e pasojë e gërmimeve në shtratin e lumit Shkumbin nga një kompania private, emrin e së cilës nuk e përmend.
“Masat paraprake për krijimin e baypassit dhe unzaës sekondare nuk rezultuan efektive kështu që aksi do vijojë të mbetet i mbyllur. Po diskutojmë të bëjmë një rrugë alternative, ku ndër to është ajo e Spatharës, që po përdoret nga veturat”, nënvizoi Kozeli.
I pyetur për kompanitë që shfrytëzojnë internet e lumit Shkumbin për ndërtimin e Korridorit VIII, Kozeli tha se disponojnë leje.
“Kontraktori është i pajisur me leje për punimet që po zhvillon”, shtoi ai.
Për Qeverinë, përfaqësuar në këtë rast nga ARRSH-ja, rrëshqitja është fenomen natyror shkaktuar nga shiu, por prokuroria ka dyshime se mund të jetë abuzuar nga kompanitë që po ndërtojnë korridorin e VIII. Prej se dielës kanë nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Lotin e shtate te autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i se cilës ndodhet 2 km larg vendit ku u shemb rruga ekzistuese. Po kjo kompani, në pronësi te Agim Koles, u pa keto dite ne terren, e kontraktuar nga ARRSH-ja për hapjen e bypass-it provizor.
Qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit për të ardhur në Tiranë duhet të lëvizin në rrugën Maliq – Gramsh, e cila jo vetëm zgjat distancën por nuk ofron siguri. Është pikërisht kjo rruge qe shihni ne pamje, e cila në disa segmente ka vetëm një korsi. Një alternative tjetër por me e mundimshme është nga Tepelena e Leskoviku. Ndërsa maunet e Maqedonisë së Veriut lëvizin nga Rruga e Arbrit.


