SPAK po vijon me hetimet për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 10 procedura të tjera tenderuese. Mësohet se ditë e sotme SPAK ka ushtruar kontrolle dhe ka sekuestruar materiale te biznese që janë të lidhur me procedurat tenderuese të Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuroruar 450 mln euro, dhe SPAK po heton tenderët për 7 lotet.
SPAK ka ushtruar herë pas here kontrolle në vazhdë të këtij hetimi. Më 28 dhjetor SPAK ushtroi rreth 35 kontrolle te kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderët me vlerë miliona euro, mes tyre edhe te kompania Gener 2 e botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj apo edhe te Ilir Shtufni. Pjesë e kontrolleve ishin edhe dy ish-vartës të Belinda Ballukut, aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ish-kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-kreu i KESH Erald Elezi apo edhe drejtoresha aktuale e KESH, Viola Haxhiademi.


