Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e aksidenteve dhe sigurisë në rrugë.
Vetëm gjatë javës së shkuar janë gjobitur 4, 744 për drejtuesit që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, mes tyre, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, shpejtësia mbi normat e lejuara, parakalim i gabuar etj.
32 shoferë janë arrestuar ose do të hetohen në gjendje të lirë.
Ndërkohë në kuadër të këtij operacioni janë bllokuar 53 automjete.
Njoftimi i policisë:
Gjatë javës që kaloi dhe gjatë kësaj fundjave, shërbimet e Policisë Rrugore, me rastin e afrimit të festave të fundvitit dhe shtimit të fluksit të lëvizjes, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset dhe pikat lidhëse të kryeqytetit, me objektivat madhorë, parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë.
Si rezultat i pranisë shtesë dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje rrugore të rrezikshme, për të cilat janë vënë masat administrative si më poshtë:
Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1838 masa;
Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1207 masa;
Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa;
Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa;
Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa;
Parakalim i gabuar – 74 masa.
Më tej, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
janë arrestuar/proceduar penalisht 32 shtetas;
janë bllokuar 53 automjete.
Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një kontribut i përbashkët dhe tejet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës.


