Me një apel të drejtpërdrejtë për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse zgjedhore, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje Kuvendit të ri që puna për ndryshimet ligjore dhe institucionale të nisë menjëherë pas konstituimit në shtator.
Gjatë aktivitetit “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, Celibashi u ndal tek problematikat e evidentuara në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, duke theksuar se pavarësisht progresit, zgjedhjet e 11 majit kishin mangësi që kërkojnë adresim të menjëhershëm.
“Gjetjet nxisin nevojën për një reformë të thellë ligjore dhe institucionale me qëllim sigurimin e integritetit të plotë të zgjedhjeve. Me konstituimin e ri të Kuvendit në shtator, të nisë puna për të adresuar të gjitha problematikat me procesin zgjedhor. Duhet të vlerësojmë çfarë secili aktor politik apo institucional duhet të bëjë ndryshe ose më mirë në kuadër të përgjegjësive që ka,” tha Celibashi.
Ai nënvizoi se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo thjesht rezultat i një konsensusi politik të gjerë. “Maxhoranca ka shumicën e cilësuar në kuptimin kushtetues. Shpresoj që kjo të mos kthehet në pengesë formale për përfshirje të plotë dhe konsensus real mbi çfarë duhet reformuar,” u shpreh ai. Celibashi theksoi gjithashtu se dy liderët kryesorë politikë, Edi Rama dhe Sali Berisha, zhvilluan një fushatë të ashpër dhe me tone përçarëse, gjë që cenon klimën elektorale.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, bëri publike shifrat për hetimet mbi krimet zgjedhore të 11 majit, duke deklaruar se janë evidentuar 192 raste të dyshuara. Sipas tij, janë regjistruar 43 procedime penale, të cilat ndodhen në fazë hetimi aktiv, ndërsa për 43 raste të tjera është vendosur mosfillimi i hetimeve.
“40 materiale janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, 17 janë bashkuar me dosje ekzistuese, ndërsa një pjesë është ende në proces verifikimi,” u shpreh Dumani. Ai bëri të ditur se janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për kontrolle banesash dhe zyrash, si dhe janë sekuestruar prova dhe dokumente që i shërbejnë hetimit.
Kreu i SPAK theksoi se shumë nga kallëzimet e ardhura nga partitë politike kanë rezultuar “të paplota dhe shpesh jo të sakta”.
“SPAK ka bërë verifikime për çdo rast dhe ka marrë vendime konkrete për secilin. Tre vendime për mosfillim janë ankimuar, por GJKKO i ka lënë në fuqi vendimet tona,” deklaroi Dumani.
“Hetimet për një pjesë të konsiderueshme të procedimeve janë aktive,” deklaroi Dumani, duke bërë të ditur se janë ushtruar kontrolle në banesa, zyra personale, dhe janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejimin e kontrollit të dokumenteve dhe materialeve me interes hetimor.


