Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”.
Dëshminë e ka vijuar bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej, i cili këtë herë ka treguar sesi mësoi personat e përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej.
Ngjarja në fjalë, e njohur si “Masakra e Bradasheshit” ndodhi në dhjetor të 2018-ës dhe në këtë atentat, përveç vëllait të Alibej, mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe turku Erdal Durunay.
Në dëshminë e tij, Alibej përmend emra si Talo Çela, Mikael Qose dhe Altin Ndoci, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në planifikimin e atentatit. Ai gjithashtu ka treguar se si, përmes kontakteve të tij, ka arritur të zbulojë detaje mbi takimet dhe bisedat që kanë çuar në vrasjen e vëllait.
Pjesë nga dëshmia e Erion Alibej:
Vendosa të mos rrija më në Roterdam. U ktheva në Shqipëri. U futa klandestin nga Qafëbota, pasi isha në kërkim.
Kam telefonuar Genc Tafilin. E ftova në apartamentin tim. Erdhi bashkë me Dorian Dulin. Kur erdhën, dorëzuan çantat, pasi rrinin të armatosur.
Tafili më tregoi se Dorjan Dulit i kanë ardhur për takim Talo me dy mirditorë. Ikëm nga shtëpia. E ngacmova Genc Tafilin të vinte prapë në takim, por nuk më erdhi.
Atë ditë i shkruajta Suel Çelës, pasi kur përmendej Kamer Mehja, ai ishte i afërt i tij.
I kërkova Suelit takim me Kamer Mehjen. Sueli më tha: “Kameri nuk vjen, pasi afër janë katnarët.”
I referohej Çapjave. Por tha: “Pse nuk vjen ta bëjmë takimin tek tregu?”
Tani, t’i thoja jo, i bie sikur tregoja frikë, por nga ana tjetër i shkova njëherë tek shtëpia në Roterdam.
Shkova tek tregu bashkë me Andi Zylyfin, kushëririn. Ishte errësirë kur shkova. Në një lokal në treg gjeta Kamer Mehjen, Mario Çelën.
I thashë Kamerit: “Ka qenë e nevojshme të hedhësh fishekzjarre ditën që u vranë familjarët e mi?”


