Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Ruhan Hiraj, një nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i Zjarrit” i njohur për përfshirjen në vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2015 në Lazarat. Hiraj ishte dënuar nga Apeli i Posaçëm me 15 vite burg për vrasjen e Bashës dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Shpati, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit në Lazarat.
Trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, e kryesuar nga Ilir Panda, me anëtarë Albana Boksi dhe Sandër Simoni, vendosi të mos e pranojë kërkesën e Hirajt për rishikim të vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm më 18 shkurt 2021, duke lënë në fuqi dënimin e mëparshëm.
Vrasja e Ibrahim Bashës ka ndodhur pas një përplasjeje mes grupeve të kriminalizuara dhe forcave speciale RENEA gjatë një operacioni për kapjen e bandave të trafikut të drogës në Lazarat. Grupi i strukturuar kriminal, që kishte të paktën 13 persona të dyshuar, ka organizuar një pritë për të tërhequr uniformat blu dhe ka hapur zjarr në ajër për të tërhequr vëmendjen e policisë, para se të sulmonte me armë.
Në këtë ngjarje tragjike, efektivi Ibrahim Basha u vra, ndërsa dy kolegët e tij mbetën të plagosur. Për këtë sulm, si organizatorë u akuzuan vëllezërit Albion dhe Alban Aliko, të cilët gjithashtu janë dënuar nga drejtësia.
Ruhan Hiraj, i cili ishte arrestuar në SHBA për qëndrim ilegal dhe përfshirje në aktivitete kriminale, u deportua në Shqipëri në korrik të vitit 2019. Gjatë procesit gjyqësor, ai ka mohuar përfshirjen në krim, por vendimi i Gjykatës së Lartë e ka lënë të pandryshuar dënimin e tij për pjesëmarrjen në vrasjen e Ibrahim Bashës.
Në vitin 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë një vendim të rëndë për grupin e “Zjarrit”, duke dhënë dënime të përjetshme për disa anëtarë dhe dënime shumë të rënda për të tjerë, duke përfshirë gjithsej 150 vite burg për 11 persona të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale të këtij grupi.


