Kosova lehtëson masat shtrënguese ndaj mallrave serbe. Masa do të implementohet vetëm në njërën nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, atë te Merdares. Kreu i qeverisë Albin Kurti njoftoi masën e cila pritet të ndryshojë sërish në ditët në vijim.
“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference për shtypin.
Lehtësimi i masave shtrënguese vjen si pjesë e kërkesave të Gjermanisë ndaj qeverisë së Kosovës dhe si një kusht për t’iu bashkuar procesit të Berlinit dhe tregut rajonal. Kurti thotë se ato do të ndikojnë pozitivisht në përparimin e Kosovës drejt këtyre proceseve.


