Drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça është paraqitur ditën e sotme në gjykatë. Muça tha para gazetarëve se ai është i pafajshëm e se të gjitha akuzat ndaj tij janë spekullime.
“Deklarohem i pafajshëm. Është spekulim mediatik. Kam kryer detyrën, lëreni drejtësinë të veprojë, nuk kam bërë asnjë shkelje. Nuk kam kopjuar asnjë të dhënë. S’mi ka kërkuar askush”- Muça.
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 9 prill marrjen në hetim të Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muca u pezullua nga detyra dhe u vu në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sisitemit TIMS, të Policisë së Shtetit, një ngjarje mbi të cilat pak ditë më parë është ngritur edhe një komision hetimor parlamentar.
Po ashtu, prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Në njoftim sqarohet se hetimi ndaj Muçës ka filluar bazuar në referimin e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në vitin 2023, lidhur me kopjimin e paligjshëm të të dhënave të sistemit TIMS.


