Dy persona janë arrestuar në Elbasan pasi organizonin lojëra fati të paligjshme, në ambientet e një lokali të marrë me qira. Ndërsa nën hetim janë vënë 13 persona të tjerë që u kapën duke luajtur.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dice”, evidentohen dhe goditet një rast i përshtatjes së lokalit, për lojëra fati.
Vihen në pranga shtetasit:
Aleksandër Muça dhe Përparim Lesko, të cilët fshihnin të ardhurat e përfituara nga veprimtaria në lokalin e marrë me qira.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 13 shtetas të tjerë, të cilët u kapën duke luajtur lojëra fati.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë A. M., 63 vjeç, banues në Elbasan dhe P. L., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundershtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e marrë me qira nga 63-vjeçari, për organizimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Nga verifikimet ka rezultuar se këta shtetas fshihnin të ardhurat e përfituara nga ky subjekt.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: B. A., E. L., Xh. B., V. R., M. S., E. G., A. B., H. M., G. I., A. P., Xh. J., E. T. dhe I. D., për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, pasi u kapën në ambientet e lokalit, duke luajtur lojëra fati.
Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 140 000 lekë të rinj, 580 euro, 50 dollarë, 20 franga, një tavolinë dhe zara për lojëra fati, si edhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


