Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, procesi i integrimit duhet të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Xhaçka u shpreh se, “Shqipëria po përjeton një rienergjizim të procesit të integrimit dhe një vëmendje të re të institucioneve evropiane, e shoqëruar me arritje të qenësishme, të cilat janë të prekshme për të gjithë”. “Ne e përshëndesim angazhimin e BE-së me një qasje të re ndaj rajonit tonë dhe avancimit drejt anëtarësimit në BE. Është kuptuar se procesi ka nevojë të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur, ka energji të reja, prani të shtuar, dhe një qasje gjithmonë e më praktike në marrjen e përfitimeve të anëtarësimit në BE, shumë më përpara anëtarësimit, në politika e programe sektoriale, sigurisht duke arritur standardet e kërkuara”, tha Xhaçka.
“Jam krenare të vë në dukje se institucionet e BE-së kanë vlerësuar e vlerësojnë seriozitetin dhe përkushtimin tonë për procesin dhe linjëzimin e plotë me vlerat dhe parimet e BE në politikën tonë të brendshme e të jashtme, në rajon e ndërkombëtarisht”, nënvizoi Xhaçka. “Procesi i anëtarësimit në BE është projekt i përbashkët i shoqërisë sonë ku, si askund tjetër, janë të angazhuar të gjithë aktorët e faktorët politikë e shoqërorë. Pra për ne, procesi i integrimit është më shumë se një objektiv institucional. Ai është një objektiv kombëtar, për arritjen e së cilit ne nuk do të rreshtim së punuari”, shtoi Xhaçka.


