Motori i gjetur pasditen e 27 prillit në Lumin Drin pranë fshatit Kakarriq të Lezhës, po verifikohet dhe ekzaminohet imtësisht, pasi ka dyshime se nuk është i njëjti me atë të përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikuaj, mesditën e 19-prillit në Shëngjin.
Hetuesit po kalojnë në sitë karakteristikat e mjetit të blerë në Tiranë i cili mendohet të jetë përdorur për të kryer krimin, me atë të gjetur në lum 300 metra larg shtëpisë së Edmond Haxhisë, i cili është vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit, në rolin e organizatorit, porositësit dhe financuesit të atentatit.
Motori “Skuter” u gjet nga policia 8 ditë pas ngjarjes në brigjet e Lumit Drin dhe mendohet të jetë hedhur nga autori i dyshuar portugez pas atentatit ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë nën akuzë 6 përsona një shqiptar në rolin e organizatorit, 1 portugez si autor i vrasjes dhe 4 shtetas Britanik si bashkëpunëtor në rolet e informatoreve mbi lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj. Katër prej tyre janë vënë në prangat e policisë në Britaninë e Madhe dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre, ndërsa vijojnë të jenë ende në arrati autori portugez i dyshuar për vrasjen dhe 1 prej shtetasve Britanik që ka bashkëpunuar për të kryer krimin e rëndë.
Rolet e anëtarëve të grupit kriminal
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë
Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.


