Ngjarja e rëndë ka shokuar dhe familjarët e familjes Hoxhallari, ndërsa nipi i të moshuarës, që gjeti vdekjen në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, tregon me dhimbje momentet e para të ngjarjes.
Gazmir Fetollari, djali i hallës së viktimës, Olsi Hoxhallarit, është një prej dëshmitarëve të parë që ka hyrë në dhomën ku gjetën vdekjen nënë e bir. Fetollari tregon se kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka dyshuar për shpërthim të shkaktuar nga bombola e gazit, pasi ka gjetur një cigare të pafikur dhe gaz që vazhdonte të rridhte.
Si i gjetët trupat e pajetë?
Ishte diku pas orës katër kur jemi njoftuar në telefon për ngjarjen dhe kemi mbërritur menjëherë në banesë. Trupat ishin ende në dhomën e veçuar, ndërsa ajo ishte djegur thuajse plotësisht. Në momentet e para mbërriti edhe Policia, që trupat i dërgoi drejt morgut të spitalit, ndërsa një bombol e vogël që ndodhej në dhomë, nxirrte ende gaz. Nga ajo çfarë pamë, ishte edhe një cigare e hedhur që mendojmë se ka shkaktuar zjarrin dhe humbjen e jetës së tyre.
Çfarë u tha në momentet e para nga Policia?
Ata i ka zënë gjumi, pasi ishte një dhomë që përdorej kryesisht për t’u ngrohur dhe shikonin televizor. Të dy këta kanë qëndruar për të parë televizor dhe aty i ka zënë gjumi, ndoshta edhe nga rrjedhja e gazit dhe më pas cigarja e ndezur ka shkaktuar flakët.
Kush i gjeti trupat e djegur brenda në dhomë?
Nusja e Olsit. Pasi ajo në mbrëmje ishte larguar për të fjetur. Dhe rreth mëngjesit ka ndjerë tym dhe ka shkuar drejt te dhoma, e cila ishte djegur thuajse plotësisht dhe aty ka gjetur dhe trupat e tyre. Ka lajmëruar menjëherë fqinjët këtu pranë dhe më pas Policinë. Është me të vërtetë e dhimbshme.
Prej sa kohësh jetonin në këtë banesë?
Prej 15 vitesh, pasi vijnë nga Korça, ashtu si edhe ne. Nga zona e Maliqit ku kemi jetuar më parë. Ndërsa, prej 15 vitesh jetojmë në Vlorë. Këtu kemi ndërtuar shtëpitë dhe jetojmë në këtë zonë.
Mos ndoshta kishin ndonjë konflikt?
Jo,jo. Olsi punonte kryesisht në Greqi për të siguruar të ardhura dhe vinte herë pas here. Ishte i martuar dhe ka një djalë. Nuk kanë pasur asnjëherë probleme. Shikonin punën e tyre dhe punonte në Greqi.
Sa veta jetonin në shtëpi?
Po, përves Olsit dhe Salikes ishte edhe gruaja me djalin. Ndërsa babai i Olsit, Nevrusi, ka humbur jetën një vit më parë. Ishin familje që shikonin punën e tyre në çdo moment.
Kanë dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë ata që banojnë afër?
Nuk e dimë, deri më tani nuk dimë asgjë. Nuk kanë dëgjuar gjë, thanë. Presim tani nga Policia.


