Faton Haxhaj, një 26-vjeçar nga fshati Greikoc i Suharekës ka vdekur dje. Ai ishte dërguar në Emergjencën e Suharekës me plagë të rënda trupore, të cilave s’ka arritur t’ju mbijetojë. Afër shtëpisë së tij, Policia ka gjetur një kallash.
“Vdekje e dyshimtë”, është cilësuar nga Policia vdekja e 26-vjeçarit nga fshatit Greikoc i Suharekës.
Ai ishte pranuar në Qendrën Emergjente të Suharekës rreth orës 15:05, me lëndime trupore që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.
Këtyre plagëve s’ka mundur t’ju mbijetojë i riu. E kur Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, afër shtëpisë së viktimës është gjetur një kallash.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë”. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar Gashi.


