Për Neritan Cekën, ish-ministër i Brendshëm: Shqipëria duhet të përgatitet për çdo aventurë të mundshme në kufijtë tanë, apo në Kosovë.
Ceka thotë për Gazetën “Panorama.al” se Rusia po kërcënon lirinë botërore dhe se vendi ynë nuk e ka infrastrukturën e duhur për t’i bërë ballë realitetit të ri me të cilin do të duhet të përballemi. Sipas tij, është koha që të diskutohet për një shërbim vullnetar ushtarak, si dhe për përgatitjen e rezervistëve, në modelin zviceran.
Z. Ceka propozon konsensus mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës që të modifikojnë nenin e Kodit Penal për shqiptarët që angazhohen në luftë jashtë territorit të vendit të tyre. Ai sjell si shembull rastin e luftës në Spanjë. Neritan Ceka shpreh shqetësimin se pasojat e luftës në Ukrainë kanë filluar të ndjehen në Shqipëri, kryesisht në ekonominë e vendit.
Z. Ceka, përveç kërcënimit të sovranitetit të Ukrainës, lufta ka minuar të gjithë rendin gjeopolitik ku paqja në Evropë tashmë duket se i përket së kaluarës, por a është e rrezikuar Shqipëria prej saj?
Nuk shoh ende një rrezik të drejtpërdrejtë të Shqipërisë, përveç pasojave ekonomike që sjell kjo luftë për ekonominë. Këto kanë filluar të ndjehen menjëherë me çmimet e shportës, që rëndojnë në radhë të parë mbi shtresat e varfra e të ashtuquajtura të mesme të popullsisë, por do të kenë pasoja edhe në zgjerimin e bizneseve, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, për shkak të pasojave në tregun e energjisë elektrike dhe hidrokarbureve.
Në planin më të gjerë kjo është një luftë midis sistemeve demokratike dhe atyre autoritare, ku Shqipëria gjendet ende në një zonë gri. Prandaj, ky është edhe momenti historik i përfshirjes përfundimtare në sistemin e Bashkimit Evropian si një bashkësi e kombeve të lira, përpara se të jetë një bashkim i tregjeve financiare dhe tregtare.
Në një situatë të tillë, sa e avantazhon Shqipërinë të qenurit pjesë e aleancës euroatlantike?
Besoj se kjo bën pjesën në ndërgjegjen e çdo shqiptari, për t’u ndjerë i qetë dhe i sigurt në këto ditë të shqetësuara për gjithë Evropën. Natyrisht që rreziku nuk është direkt, sepse Rusia nuk ka mundësi të veprojë kundër Shqipërisë në lëmin e telasheve që i ka hapur vetes. Kjo nuk përjashton rolin, sado të vogël të Shqipërisë në mbështetjen e luftës së popullit të Ukrainës, si një luftë për vlerat themelore të demokracisë.
A po bëhemi shumë të varur nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen, dhe kufijtë territorialë?
Është rasti t’i drejtojmë me këtë rast falënderimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara për sigurinë që ndjejmë në këto ditë. Së pari, që jemi pjesë e NATO-s dhe krejtësisht të mbrojtur nga rreziqet aktuale. Së dyti, që me krijimin e një Kosove të pavarur, nuk kemi një kufi të përbashkët me Serbinë, që në situatën e tanishme është hija e tymrave që ngrihen nga bombardimet në Ukrainë. Ajo që më vjen në mend për t’iu përgjigjur kësaj pyetje është: “God, save the USA!”.
A besoni se ka një skenar për një konflikt edhe në Ballkan, si një nga rajonet më të rriskuar?
Gjatë këtyre ditëve të luftës, që ishte parashikuar si një shëtitje dyditëshe në Kiev, kërcitja e dhëmbëve të arinjve siberianë po kthehet në një makth. Tani, Putini është midis dy zjarresh. Së pari, të një lufte për liri a vdekje të një populli solid, me një mbështetje të gjerë morale, por edhe materiale, përmes një kufiri të hapur ndaj vendeve mike. Ende më e vështirë është për atë lufta ekonomike me aktorët më të fuqishëm të ekonomisë botërore, por edhe me oligarkinë financiare ruse, të goditur ashpër nga sanksionet.
Në fund të fundit, Putini është diktatori i krijuar pikërisht nga oligarkët dhe fati i luftës do të zgjidhet në Moskë dhe jo në Kiev. Por, për t’u lehtësuar prej tyre, Putini do të bëjë përpjekje për të hapur vatra konflikte në zona të tjera të sëmura nga të njëjtat simptoma të nacionalizmit primitiv. Një vatër e tillë është Ballkani me epiqendër Serbinë. Ngjarjet në Bosnje Hercegovinë dhe në Malin e Zi nuk mund të shkëputen nga një mbështetje direkte, apo morale e Moskës dhe Beogradit. Këto janë pikat ku do të synohet destabilizimi.
Po sa i përket Kosovës, sa është e rrezikuar nga “arinjtë siberianë”?
Kosova ka një status tjetër dhe çdo aventurë e Serbisë në Kosovë do të përballej menjëherë me NATO-n. Ndoshta mund të pritet nga Serbia një lëvizje racionale drejt Bashkimit Evropian, që është maksimumi që do të zbutej nga nostalgjikët e Rusisë.
A përbën një mangësi heqja e detyrimit ushtarak, pavarësisht se është një model i vjetruar? Në një kohë kur nuk ka më paqe në Evropë, a kemi nevojë për një formë të shërbimit të detyruar, për një rikonsiderim të tij?
Rusia, si forca kryesore ushtarake që kërcënon demokracitë evropiane, po e zhvillon luftën e Ukrainës me një ushtri profesioniste, që llogaritet në një të katërtën e potencialit të saj ushtarak konvencional. Si rrjedhim, ajo nuk përbën aktualisht një rrezik për Evropën e NATO-s dhe aq më pak klientët e saj të mundshëm në Ballkan.
Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jemi të përgatitur për çdo aventurë të mundshme në kufijtë tanë, apo në Kosovë. Natyrisht, forcimi i potencialit tonë ushtarak bëhet në kuadrin e strategjisë dhe taktikave të NATO-s, si dhe të partneritetit direkt strategjik me Shtetet e Bashkuara. Së dyti, është koha e të diskutohet për një shërbim vullnetar ushtarak, si dhe për përgatitjen ushtarake të rezervistëve, në modelin zviceran.
A ka Shqipëria infrastrukturën e duhur për t’i bërë ballë realitetit të ri me të cilin do të duhet të përballemi?
Natyrisht që nuk e kemi dhe ajo që duhet diskutuar është se në cilin drejtim duhet përmirësuar dhe krijuar kjo infrastrukturë, gjithmonë në kuadrin e strategjisë së NATO-s.
A duhet një bashkëpunim politik mes mazhorancës, opozitës dhe Presidentit për adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë kombëtare, për një ndikim sa më të pakët mbi ne?
Përveç mikpritjes për ukrainasit, të cilët janë natyralizuar prej kohësh si “qytetarë verorë” të Shqipërisë në plazhet tona, është i nevojshëm një konsensus pozitë-opozitë për masa të tjera që do të merren në kuadrin e BE-së, NATO-s, apo dhe më gjerë. Krahas deklaratave të përbashkëta në Kuvendin e Shqipërisë, do të ishte e nevojshme të modifikohet neni i Kodit Penal për shqiptarët që angazhohen në luftë jashtë territorit të vendit të tyre.
Nuk mund t’i ndalohet asnjë shqiptari e drejta për të luftuar për lirinë dhe demokracinë në kohën që këto vlera kërcënohen në shkallë botërore. Pjesëmarrja e vullnetarëve shqiptarë në Luftën Civile në Spanjën në vitet 1936-1938 u bë pikërisht për të ndaluar fashizmin përpara se ai të shkelte në Shqipëri. Dhe Spanja ishte po aq larg nga Shqipëria, sa edhe Ukraina e sotme. Natyrisht, neni duhet të mbetet me po ato penalitete për ata qytetarë shqiptarë që vullnetarisht rreshtohen në luftë krahas terroristëve, apo agresorëve.


