Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, ka mirëpritur lajmin e arritjes së marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Përmes një postimi në Twttier, Von der Leyen ka thënë se ky është zhvillim tejet pozitiv pas takimeve të saj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.
“Ky është zhvillim tejet pozitiv pas takimeve të mia me PresidentinVuçiç dhe Kryeministrin Kurti. Kjo është e mirë për mbarë rajonin. Tani dialogu duhet të vazhdojë”, ka shkruar ajo.
Theksojmë se sot në Bruksel është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat të ndërmjetësëuar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak tha se kjo gjë është arritur pas negociatave dyditorë mes delegacioneve të dy shteteve.
“U arrit marrëveshja! Pas dy ditë negociatash intensive, një marrëveshje për shmanigien e përshkallëzimit dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar ai në Twittër. /Zëri


