Top Channel ka bërë një kronikë për zgjedhjen e kreut të ri të FSHF-së, që duket se do të vërë përballë Armand Dukën dhe Bashkim Finon.
Televizioni i njohur për lidhjet e afërta me Dukën, thotë se ky i fundit është personi që ngriti futbollin shqiptar.
“Në fillim, kur Duka mori drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk kishte as zyra. Shpejt arriti t’i japë institucionit fytyrën e duhur, duke përmirësuar jo thjesht ambientin administrativ, por edhe funksionimin.
Ekipet shqiptare të Superiores ishin në atë gjendje sa nuk arrinin të kalonin asnjë tur në garat ndërkombëtare, ndërsa Kombëtarja rrinte gjithmonë në vendet e fundit.
Tani, Kombëtarja është në gjendje të vendosë në vështirësi edhe ekipet e mëdha, ndërsa suksesi kulmor ishte pjesëmarrja në finalet e Europianit. Janë ndërtuar dy stadiume me standarde të larta, si “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, ndërkohë që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm edhe “Arena Kombëtare”.
Por nuk kanë munguar edhe dyshimet për përfshirjen e ekipeve shqiptare në baste ndërkombëtare me ekipe europiane. Këto janë pjesë e CV-së së Dukës, nëse ai vendos rikandidimin në krye të FSHF-së”, shkruan Top Channel, që “harron” në fakt se më shumë se bastet ndërkombëtare, Duka është akuzuar për manipulimet që ka bërë me kampionatet shqiptare, ndërsa është akuzuar edhe për afera të shumta me Kombëtaren, që nga afrimi i futbollistëve kundrejt pagesave, deri tek shitjet e ndeshjeve.
Top Channel ndërkohë vijon më tej, duke thënë se tani Duka rrezikohet nga PS (nënkupto Ramën), që do t’i marrë atij drejtimin e FSHF-së.
“Konfliktet e vazhdueshme të disa prej anëtarëve me Federatën kanë krijuar pakënaqësira, që mund të përkthehen në votë kundër dhe kanditatura alternative përballë presidentit Duka.
Një i pakënaqur është ekipi i Flamurtarit, skuadra që pritet të mbështetësë kandidaturën e shumëpërfolur kohët e fundit të deputetit socialist Bashkim Fino. Lidhjet e tij me sportin janë si tifoz, apo futbollist amator, por pika e fortë e Bashkim Finos është përkatësia në Partinë Socialiste që qeveris sot vendin në nivel qendror dhe lokal, ku shumë përfaqësues të pushtetit lokal janë votues në Asamblenë zgjedhore të FSHF-së.
Në historikun e saj, Federata Shqiptare e Futbollit, një organ i pavarur nga politika, ka pasur vetëm një drejtues politik, Edmond Spahon. Deputeti aktual i Partisë Demokratike, ministër i Turizmit dhe Sporteve në fillimin e viteve ’90, u zgjodh me mbështetjen e mazhorancës së atyre viteve president i FSHF-së në vitin 1994”, shkruan Top Channel./tema


