Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë deklaruan se në spitalet rajonale rreth 40% të kapaciteteve janë të ezauruara, vetëm pak ditë nga vënia në dispozicion e tyre si spitale COVID.
Sipas tyre, spitalet e Durrësit dhe Shkodrës janë duke trajtuar njëlloj sikurse spitalet qendrore COVID në Tiranë.
Aktualisht objektivi i Ministrisë mbetet imunizimi i popullatës, përmes vaksinimit. Por shifrat çdo ditë të larta, por të qëndrueshme në vijimësinë e tyre, përsëri mbajnë të lartë alarmin në popullatë.
Në një lidhje për “Wake Up”, Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit, Nadire Jani tha se shifrat e të infektuarve po rriten, por u shpreh se ky spital i ka të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës.
“Numrat fatkeqësisht po rriten. Kemi një vit që po përballemi me këtë situatë. Që nga data 15, kur spitali i Durrësit u shpall spital Covid, ne kemi filluar të mbajmë edhe pacientë Covid pozitiv.
Brenda këtij 10-ditëshi kemi dërguar vetëm 2 raste në Tiranë, të cilët kanë dashur trajtim më të specializuar. Nuk janë ezauruar shtretërit. Spitali i Durrësit ka 340 shtretër. Kemi një personel të mirëtrajnuar dhe të gjitha pajisjet e nevojshme.
Në fillim kishim raste të lehta, tani kemi më shumë raste të rënda. Stadi i parë dhe i dytë mjekohen në shtëpi, me ndihmën e mjekut të familjes.
Tani stadet e para nuk vijnë në spital dhe as të dytat nuk po vijnë. Po vijnë stadet e treta dhe të katërta dhe nuk e kundërshtojnë shtrimin në spital. Ne kemi kërkesa për shtrim në spital”, theksoi ajo.


