Rusia ka miratuar të shtunën vaksinën e saj të tretë kundër koronavirusit për përdorim të brendshëm, ka thënë kryeministri rus, Mikhail Mishustin për një televizion shtetëror, ndonëse testimet klinike në masë nuk kanë nisur ende.
Vaksina CoviVac është krijuar nga Qendra Chumakov, njofton Reuters. Fillimisht Rusia kishte miratuar dy vaksina kundër COVID-19, duke përfshirë atë Sputinik V.
Më shumë se 2 milionë rusë janë vaksinuar me të paktën një dozë të kësaj vaksine. “Sot, Rusia është shteti i vetëm që ka tre vaksina kundër COVID-19”, ka thënë kryeministri Mishustin.
Sipas kryeministrit rus, Mikhail Mishustin, në mes të marsit 120 mijë dozat e para do të shpërndahen midis popullatës civile.
Në dallim nga vaksina Sputnik V, që përdor një virus të modifikuar dhe të padëmshëm, i cili synon të përgatisë trupin për infektim potencial me koronavirus, vaksina CoviVac është e krijuar me koronavirus të çaktivizuar, që nënkupton se atij i është hequr aftësia e shumimit.


