Kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të fortë nga Kukësi, teksa ka thënë se dhe Partia e Qeveria socialiste kanë bërë gabime e kanë kërkuar ndjesë për to, si ansjë tjetër më parë. Por ne tha Rama, nuk i kemi bërë dëme vendit si i kanë bërë kundërshtarët e tij politikë.
Për këtë, ai kujtoi 21 Janrin ku 4 protestuesë të PS u vranë në Bulevard nga Garda e Republikës, dhe shpërthimin famëkeq të Gërdecit.
“Ama dëme vendit siç i kanë bërë ata nuk i kemi bërë kurrë. Ama të vrarë me plumb se dilnin në protestë, të vrarët me shpërthime se dilnin përreth një fabrike që bënte demontim armësh, jo. E kam fjalën dhe për dëmet e shkaktuara dhe te fëmijët, të rinjtë. Që u kanë batërdisur qindra e qindra tekste idiote. Sot fëmijët tanë, sot fëmijët e këtij vendi kanë 3 tekste, jo 45 alternativa të shkruara nga këshilltarët injorantë të Saliut. Mësojnë në librat që mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në shumë vende të botës”, akuzoi Rama.
Kryeministri bëri dhe “mea culpa” për qeverinë socialiste kur tha se kanë gabuar me kuksianët kur vendosën tarifën e rrugës por u tërhoqën.
“S’mund të më kërkoni mua faturat e 30 vjetve. Në 7 vjet në kemi bërë shumë herë më shumë se ç’kanë bërë ata në të gjitha vitet e marra së bashku. Kemi bërë dhe ne patjetër gabime. Kemi bërë gabime, kemi të meta, dimë të kërkojmë dhe ndjesë. I kam kërkuar ndjesë kuksianëve për atë që ndodhi, pa qëllim të keq por me mendje të lehtë nga ana jonë, lidhur me pagesën e rrugës”, shtoi ai.


