Një 10-vjeçar shqiptar humbi jetën në një aksident tragjik në Itali. Familja e vogëlushit Kristian Kazazi ka jetuar në Itali prej më shumë se 20 vitesh.
Pas ndarjes nga jeta të vogëlushit, kanë shprehur ngushëllimet edhe miq e familjarë të shumtë të familjes shqiptare.
“Një tragjedi e tmerrshme. Nuk kam fjalë për të komentuar vdekjen e një fëmije që i gjithë komuniteti e njeh dhe e do”, u shpreh Luca Pezzani, kryetari i Petritoli, i cili pasi u njoftua për atë që kishte ndodhur mëngjesin e djeshëm menjëherë shkoi në morg për të qenë afër nënës së Kristianit.
Shumë njerëz zhvilluan homazhe për 10-vjeçarin. “Duket e pabesueshme që ka ndodhur”, thotë nëna e një shokut të Kristian. “Një fëmijë i sjellshëm dhe i adhurueshëm. Ashtu si me djalin tim, Kristiani ishte shumë i lidhur me kaq shumë fëmijë dhe adoleshentë dhe duket e pamundur që ai nuk është më mes nesh”, shtoi ajo.
Fëmija 10 vjeçar humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, teksa udhëtonte me babanë për të shkuar tek një restorant ku punonte mamaja e tij gjatë fundjavës.
Aksidenti i tmerrshëm ndodhi kur babai i tij 40-vjeçar humbi kontrollin e automjetit të tij për arsye ende të panjohura. Për pasojë, mjeti doli jashtë rruge dhe u përmbys, duke u shkatërruar thuajse plotësisht. Fëmija ndërroi jetë në vend, ndërsa babai ndodhet në gjendje të rëndë në spital.


