Më 30 korrik 2020, biznesmeni 37-vjeçar, Eugert Lazaj, është gjetur pa jetë në vilën e tij private, brenda kompleksit “Rolling Hills” në Farkë.
Pranë tij u gjet një armë zjarri që sipas policisë ai e ka përdorur për t’i dhënë fund jetës. Megjithatë ende nuk dihet ekzaktësisht nëse është vetëvrarë apo është vrarë nga vrasës profesionistë.
Ndërkaq burime nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit-Tiranë, kanë bërë publike për mediat disa dokumente sipas së cilave pronari i resort “Adorions Palace” në Maminas, Eugert Lazaj, kishte “llogari” ligjore-administrative e gjyqësore me policinë shqiptare.
Sipas informacionit zyrtar, biznesmeni ishte i lindur e rritur në Shqipëri, por Lazaj e ka lënë shtetësinë shqiptare qysh më 26.11.2004, në moshën 21-vjeçare, për të jetuar jashtë saj me shtetësi tjetër.
Sipas dosjes, pas shumë vitesh ai është rikthyer për të bërë biznes me resort turistik e për të jetuar përgjithnjë në Shqipëri, por Policia e Shtetit, nuk e ka pajisur me leje të përhershme, por vetëm më leje të përkohëshme “Tipi D/AE- Veprimtari ekonomike”, raporton Pamfleti.
Për motive që i dinë vetëm agjencitë e specializuara brenda e jashtë Shqipërisë, Policia e Shtetit i ka kërkuar viktimës Eugert Lazaj, të largohej nga territori i Shqipërisë.
Në datën 01.04.209, Lazaj i është drejtuar Gjykatës Administrative, me padi dhe kërkesën për sigurim padie, me objekt, anullimin e urdhrit të dëbimit. Por qysh atëherë e deri ditën kur paditësi u gjet pa jetë, relatorja gjyqësore B.Hasa, nuk caktoi datë për fillimin e procesit të gjykimit.
Ende nuk ka një informacion të plotë, se përse policia i kishte bërë urdhër dëbimi e përse viktima Eugert Lazaj, nuk e pranonte dëbimin nga Shqipëria, shtetësinë e të cilës e kishte lënë qysh para 16 vitesh.




