Dita e sotme shënon edhe dy vjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, një nga figurat më të shquara në kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi e ka kujtuar Demaçin si një nga krijuesit dhe borizanët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij Ruçi thotë se Adem Demaçi i shërbeu Kosovës dhe kombit shqiptar me vizionin largpamës dhe energjitë që nuk i shteruan kurrë.
“Sot mbushen dy vjet pa patriotin, dijetarin, oratorin, luftëtarin dhe kalorësin e paqes, Adem Demaçi.
Adem Demaçi është ndër krijuesit dhe borizanët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai i shërbeu Kosovës dhe kombit shqiptar me vizionin largpamës dhe energjitë që nuk i shteruan kurrë; me sakrificat e pashembullta për çlirimin dhe progresin; me mësimet e vyera për të ndërtuar shtetin e ri, demokracinë dhe paqen; me kontributin e shquar kulturën dhe qytetërimin shqiptar; me thjeshtësinë dhe madhështinë prej çlirimtari; me dhimbjen njerëzore për të gjithë.
Çdo komb, çdo popull, çdo vend do të ndihej krenar me një luftëtar, krijues dhe hero si Adem Demaçi.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi


