Presidenti Hashim Thaçi kujton sot ditën kur Pavarësia e Kosovës u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, 10 vite më parë.
Thaçi publikon videon e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të lexuar në Kuvend më 17 shkurt 2008 dhe shkruan “Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran.” Sipas Presidentit, ata gjithmonë i kanë besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e Serbisë mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.
“Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, shkruan Hashim Thaçi.


