Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të njësisë 1 në Tiranë ngriti shqetësimin e shpopullimit.
Sipas Kryemadhi ky është një fenomen shqetësues për vendin, ndaj është një nga prioritetet e LSI-së. Ajo u shpreh se do të punojnë për t’i krijuar mundësi të rinjve në Shqipëri.
Kryemadhi u shpreh gjithashtu, se njerëzit janë të revoltuar për shkak se paguajnë shumë taksa dhe ndjejnë peshën e dhunës ekonomike.
“Ne na ndajnë vetëm 51 ditë nga 25 prilli, ku ne do ti kërkojmë njerëzve të drejtohen drejt kutive trë votimit. Ajo që ne shikojmë, revoltën njerëzore dhe qytetare është goxha e madhe, sepse janë ata që sot po paguajnë më shumë taksa. Shumica e shqiptarëve e ndiejnë peshën e dhunës ekonomike, të varfërisë që ia ka prekur ata.
Ndaj, angazhimi i profesionistëve të rinj që kanë energjinë, pozitivitetin dhe dëshirën për të jetuar në Shqipëri, sepse një pjesë e mirë e programit tonë fokusohet pikërisht te familjet e reja.
Për ne është shumë e rëndësishme që familjet e reja jo vetëm të konsolidohen, por edhe të rriten këtu në Shqipëri dhe një nga prioritetet kryesore për ne është ndalimi i shpopullimit dhe t’ju ndalojmë ju që të mos ikni nga vendi dhe për këtë ne duhet të krijojmë ambientin e duhur për shkollimin, për shërbimin shëndetësor për fëmijët e porsalindur.
Këtu ka ndodhur një absurditet që hiqen nga puna inxhinierët, hiqet profesionistët dhe kush merret? Dhe pastaj thonë që punë ka, por s’ka profesionistë. Shumë inxhinierë po largohen nga Shqipëria, shumë prej tyre që marrin diplomat për inxhinieri largohen nga vendi, për arsye se edhe kemi një rrudhje të shkollave të inxhinierisë.
Madje, me duhet t’ju them që kam takuar disa inxhinierë nga Librazhdi, të cilët punonin inxhinierë në puset e naftës, ndërkohë që në vendin tonë ata mund të kishin mundësi që të ishin jo vetëm njerëzit më të paguar, por të ishin edhe njerëzit më pranë familjeve të tyre, pranë fëmijëve të tyre.
Ndaj ne duhet të krijojmë hapësira pa fund për profesionistët tanë, të krijojmë hapësira kualifikimi për profesionistët e ardhshëm në mënyrë që të mos kemi këtë varfëri që po i vjen Shqipërisë”, tha ndër të tjera Kryemadhi.