Zjarret në vend vijojnë ta zgjerojnë hartën e tyre të dëmeve, kurse lufta nga toka dhe ajri nuk është ndërprerë për asnjë moment, edhe pse në rrethana dhe terren të vështirë.
Deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, (17 gusht), në territorin e vendit njoftohet nga Ministria e Mbrojtjes se janë regjistruar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 129 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Si paraqitet situata e vatrave të zjarrit?
-Mali i Dajtit, Tiranë – vijon operacioni me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Priska është nën kontroll dhe në monitorim, ndërsa në Vakumone zjarri është izoluar dhe situata paraqitet nën kontroll.
-Gurë-Lurë, Dibër – vijon angazhimi i gjerë me 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
-Qafë Helmës – zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv drejt Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.
-Bruç, Mat – operacioni vijon në terren të vështirë me forcat vendore dhe vullnetare, të mbështetura edhe nga 1 helikopter i FA. Nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.
-Lufaj, Mirditë – vijon puna e strukturave operacionale, ndërsa 2 mjete zjarrfikëse të FA me 9 efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri. Aktualisht vatra nuk paraqet rrezik për banesat.
-Fushë-Lajë, Pukë – vijon operacioni me 9 efektivë MZSH, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.
“Situata vijon të menaxhohet me angazhim të koordinuar të strukturave të Mbrojtjes Civile dhe përqendrim të kapaciteteve tokësore e ajrore në vatrat aktive. Në shumicën e zonave aktive nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa disa vatra janë izoluar, vënë nën kontroll ose shuar plotësisht”, bën me dije MM.


