Blerim Dulaj, 29 vjeçari që shihni në këtë foto është denoncuar i zhdukur që prej mesditës së djeshme në Manastir. Dule është larguar nga banesa e tij për t’u larë në det me shokët.
Blerim Dulaj, i denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij në Sarandë
Babai i tij, Divid Dulaj, ka thënë për Report Tv, se djali i tij nuk është me probleme të shëndetit mendor, siç është shkruar ditën e sotme në shumë portale. Babai apelon për ndihmë nga shteti për gjetjen e 29-vjeçarit.
“Rreth orës 3 më ka thënë që do vete në plazh për t’u larë. Unë i thashë “Jo”, se është herët. Ai më tha do vete, vajti. E prita deri në 3-4, se deri atëherë lahen atje. Pritëm që s’na erdhën, morëm masat tona, lajmëruam policinë na erdhën në ndihmë, faleminderit të gjithëve. Por kemi dëgjuar një portal, sikur djali është me të meta mendore. Dua që televizioni juaj, si television serioz ta verifikojë. Gjithë të tjerëve s’kemi ç’të themi. Duam të na ndihmojë shteti.”
Në javët e fundit, shumë persona janë denoncuar si të zhdukur në vendin tonë. 3 persona janë denoncuar si të zhdukur në qytetin e Vlorës pak ditë më parë. Bëhet fjalë për rastin e Albano Xhaferrit,Ervis Troqes. dhe Mario Metushajt. Ndërsa në Shkodër, daja dhe nipi rezultojnë të zhdukur prej mëse 3 javësh. Gëzim Hysa dhe Agron Mollaj, u denoncuan të zhdukur nga gratë e tyre. Policia ka bërë me dije se po punohet për gjetjen e tyre, por ende nuk ka të dhëna për vendodhjen e tyre.



