Kosova ka mbajtur zgjedhjet e pesta parlamentare pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Shumë media ndërkombëtare kanë raportuar për zgjedhjet duke iu referuar exit-poll si dhe rezultateve të para të publikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Reuters shkruan se “partia anti-establishment, Vetëvendosje parashikohet të fitojë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, tregoi një sondazh”.
“Me të përfunduar orari zyrtar i mbylljes së qendrave të votimit, shumë institute dhe organizata joqeveritare publikuan sondazhe, apo exit poll-e, duke paraqitur përqindje të partive dhe vendeve të fituara në kuvend. Këto informacione janë jo zyrtare, ndërsa nga të gjitha matjet e tyre e shpallin fituese Lëvizjen Vetëvendosja të udhëhequr nga Albin Kurti”, raporton Deutschewelle.
“Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në rrugën e duhur për të fituar zgjedhje të parakohshme në një rikthim që mund të përkeqësojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara me Serbinë”, shkruan gazeta amerikane Bloomberg.
“Sipas një sondazhi të dalë, partia anti-korrupsion, Vetëvendosje, ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, shkruan Euronews.
Gazeta gjermane, welt.de ka shkruar se qytetarët e shtetit më të ri të Evropës votuan për ndryshimin më qartë se kurrë. Lëvizja Vetëvendosje nën udhëheqësin e saj karizmatik, Albin Kurti ka premtuar të luftojë keqmenaxhimin dhe korrupsionin.
“Ata i japin një fitore të qartë – edhe pse më pak se sa parashikuan sondazhet e mëparshme për Vetëvendosjen (Vetëvendosje), një parti nacionaliste e krahut të majtë e rritur nga vota e të rinjve”, shkruan gazeta spanjolle, El Pais.
Në shumë exit-poll si dhe në rezultatet e para të KQZ-së, Vetëvendosja prin në garë e ndjekur nga PDK dhe LDK.


