Partia Demokratike ka nisur lëvizjet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilltarët bashkiakë.
Në të po zhvillohen dy procese paralele: Mbledhja e propozimeve për kandidaturat për zgjedhjet lokale si dhe zgjedhja e kryetarëve të degëve dhe grupseksioneve, njësive bazë të organizimit të Partisë Demokratike.
Burime pranë PD-së thanë për Shqiptarja.com se lista me kandidatura do t’i paraqitet kryetarit Lulzim Basha, ndonëse sipas statutit të ndryshuar të PD, kryetari duhet të qëndrojë larg këtij procesi.
Pas konsultimeve me rrethin e ngushtë të Partisë Demokratike, Basha mësohet se do të përcaktojë përfundimisht emrat.
Kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një kalimi formal në Kryesi dhe Këshillin Kombëtar.
Ky proces, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, kushtëzohet nga marrëveshja me partitë kryesore aleate për ndarjen e zonave të influencës.
LSI dhe PDIU pritet të propozojnë kandidatë për drejtimin e një pjesë të bashkive, ndërsa partitë e tjera aleate do të përfaqësohen vetëm me këshilltarë.
Kriteret për kandidatët
Kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltarë të opozitës duhet të plotësojnë disa kritere të përgjithshme dhe të veçanta.
Sa i takon kritereve të përgjithshme, kandidatët duhet të kenë:
- arsim të lartë
- integritet të lartë moral
- reputacion në zonën e tyre
- të justifikojnë pasurinë me të ardhura të ligjshme
- të mos kenë patur funksione gjatë regjimit komunist
- të mos kenë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit
- të mos jenë subjekte të ligjit të dekriminalizimit.
Sa i takon standardeve dhe rregullave të tjera më specifike, ato do të përcaktohen nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës në Partinë Demokratike.


