Pas urdhrit të kryetarit Lulzim Basha, degët e PD po vijojnë me procesin e zgjedhjeve brenda në parti. Ditën e sotme janë zhvilluar zgjedhjet për kryetar të degëve të PD në Fier, Dibër dhe në Sarandë. Në Sarandë në garë ishin kandidatët Hariz Mema dhe Shpëtim Iljazi. Në procesin e votimit morën pjesë 203 nga 270 delegatë të thirrur në këtë proces. Në përfundim të numërimit të votave fitues ka rezultuar Hariz Mema me 177 vota duke u konfirmuar, ndërsa kandidati Shpëtim Iljazi ka marrë 11 vota dhe 15 vota rezultuan të pavlefshme.
Ndërsa në Fier morën pjesë 665 delegatë të zgjedhur nga grup- seksionet, ndërsa fitues u konfirmua, Luan Baçi i cili është edhe deputet i PD. Ai garoi përballë Aurora Korroveshit. I pyetur nëse është pengesë statutore që kryetari i degës të jetë deputet, Luan Baci u shpreh se “Jam deputet por kjo nuk me pengoi që të kandidoja sërish dhe nuk më ndalon askush, kam katër vjet që drejtoj partine dhe ka dalë me rezultate të mira në zgjedhje me vota edhe pse u manipuluam” tha ai. Këtë të shtunë u zhvillua gara për kreun e ri të Partisë Demokratike edhe në rrethin e Dibrës, ku fitues doli Naim Gazidede, që është vëllai i ish-kreut të SHIK në 1997 Bashkim Gazidede.


