Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Samiti i Berlinit ka qenë një takim jashtëzakonisht i suksesshëm, pasi dialogu tashmë ka kaluar në duart e Merkel dhe Emanuel Macron.
Haradinaj ka thënë se tashmë Kosova mund të jetë e qetë, por vigjilente, pasi kuzhinat e huaja mund të vazhdojnë të gatuajnë ide për ndarje të Kosovës.
Sa i përket përplasjes me Edi Ramën rreth zhvillimeve të ndodhura në Samitin e Berlinit, Haradinaj ka thënë se e respekton institucionin e kryeministrit të Shqipërisë dhe se Edi Ramën e quan vëlla.
“Edi Rama është vëlla i imi. Të vërtetën do ta them gjithmonë, kam thënë të vërtetën për atë që ka ndodhur në Samitin e Berlinit”, është shprehur Haradinaj.
Sa u përket deklarimeve për heqjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, Haradinaj ka thënë se duhet hequr pikat e kontrollit që të mos ketë shumë vonesa.
Ndërkohë për pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Samitin e Brdo-Brijonit në Tiranë, Haradinaj thotë se ai nuk është kurrfarë figure që përfaqëson ndonjë vlerë, pos agjent i Putinit në Ballkan.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nga ana tjetër ka folur për përplasjen me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Gazeta ‘Novosti’, shkruan se Vuçiç ka thënë se i ka bërë thirrje Ramës e Thaçit që të ndalin deklaratat për unifikimin e shqiptarëve.
“Unë iu thashë atyre, mblidhni mendjen, ju duhet t’i drejtoheni dialogut, sepse ky nuk është një teatër ku ju flisni për ëndrra rreth bashkimit kombëtar”, është shprehur ai.
Sa i përket deklaratës së Thaçit, për ndërhyrjen e SHBA në zgjidhjen e problemit për çështjen e kufirit Kosovë- Serbi, Vuçiç tha:
“Unë i thashë, nuk ia vlen, ju mund të telefononi Kolina Grabar Kitaroviçin, Borut Pahorin e Andrej Dudën, dhe amerikanët, por diskutimi është që këto janë vetëm raporte ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe ne duhet të zgjidhim këtë.”
Lideri serb ka treguar po ashtu edhe përplasjen që ka pasur me presidentin e Kosovës.
“E pyeta edhe Thaçin: Çfarë po bën, a ke ardhur me ata amerikanët, a po të ndihmon dikush? Ia thash në gjuhën serbe.
Ju nuk mund ta bëni një gjë të tillë, nuk mund ta bëni. Unë nuk do t’iu jap asgjë për të cilën keni folur, dhe çfarë do të bëjmë tani?”, është shprehur Vuçiç.
Sa i përket shtrëngimit të duarve me Hashim Thaçin, ai u shpreh se nuk është asgjë zyrtare.