Në Dubai pak ditë më parë u arrestua Eldi Dizdari, një nga personazhet më të përfolur, pas operacionit ndërkombëtar “Los Blancos”. Dizdari do të ekstradohet në Itali për llogari të Italisë.
Por përse personat e përfshirë në trafikun e kokainës qëndrojnë në Dubai?
Gazetari Artan Hoxha thotë se në Emiratet e Bashkuara qëndrojnë bosët e krimit për të mos qenë nën vëmendjen e autoriteteve europiane.
“Jetojnë bosët kryesorë të trafikut të kokainës. Bosët e mëdha janë zhvendosur në Dubai me idenë që aty të investojnë paratë.
Dhe së dyti, për të qëndruar larg syrit të autoriteteve europiane. Ata i janë larguar Shqipërisë vetëm për të mos patur konflikt me grupet rivale. Nuk është problem autoritetesh. Ata janë aq të aftë sa të korruptojnë”, tha gazetari Hoxha.
Ai tha Dizdari është person i paprekshëm në Shqipëri. Sipas tij, nëse Dizdari do të ndodhej në vendin tonë dhe jo në Dubai në momentin e finalizimit të operacionit, ai nuk do të ishte arrestuar.
“Eldi Dizdari në Shqipëri ishte person i paprekshëm. Nëse ai do të ndodhej në Shqipëri, ai nuk do të ishte arrestuar.
Është fat që ai është ndodhur në Dubai. Në Shqipëri autoritetet tona nuk do ta arrestonin Eldi Dizdarin”, u shpreh Artan Hoxha.
Operacioni “Los Blancos” u zhvillua nga Prokuroria italiane e Firences dhe më pas u përfshinë 10 shtete. Eldi Dizdari, njëri nga shqiptarët e arrestuar, do të ekstradohet nga Dubai në Itali.