10 sera për kultivimin e kanabisit janë zbuluar në fshatin Shkozë-Bardhë në Thumanë. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit K. L., 32 vjeç, banues në Gjorm, Kurbin dhe Q. F., 68 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë;
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. F., 36 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë (djali i shtetasit Q. F.).
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në vendin e quajtur Shkozë-Bardhë, Njësia Administrative Thumanë, në truallin pas banesës së shtetasit Q. F., kanë konstatuar 10 sera në të cilat ishin të kultivuara 925 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një qese plastmasi me fara të dyshuara si ato cannabis sativa, si dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Grupi hetimor, në përfundim të veprimeve, asgjësoi me anë të djegies fidanët narkotikë. Një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një armë gjahu dhe farat cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme hetimore.


