Një muaj pas ekzekutimit të Briken Sanajt në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë, Policia e kryeqytetit ka zbardhur ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim autorin dhe bashkëpunëtorët.
Operacioni “SHADOW”, ka zbuluar se autor i ngjarjes është shtetasi Vladimir (Valmir) Kola, banues në Shëngjin, ndërsa bashkëpunëtorë të tij janë dy shtetas nga Peja, përkatësisht Gjelosh Krasniqi dhe Kened Antoni. Lidhur me këtë ngjarje, kohë më parë u shpall në kërkim dhe Agustin Kola, vëllai i autorit.
Ata dyshohet se janë jashtë vendit. “Për autorin e dyshuar dhe 2 shtetasit e tjerë, bazuar në provat e siguruara nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Prokurorisë së rrethit Tiranë, Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë. Po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në DVP Tiranë dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 30.11.2022, u finalizua operacioni policor ‘SHADOW’, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 30.10.2022, në vendin e quajtur ‘Kodra e Diellit’, Tiranë, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi B. S., 39 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Policia e Tiranës, pas një pune profesionale disajavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, falë përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohe reale të informacioneve me policitë partnere, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje kriminale”, sqaroi Policia e Tiranës.
SI U PËRGATIT ATENTATI
Pas hetimit të vazhdueshëm përgjatë 30 ditëve, Policia e Tiranës sqaron se shtetasi nga Peja, Kened Antoni, i ka shitur automjetin pejanit tjetër të akuzuar, Gjelosh Krasniqi. Më pas, automjeti ka hyrë në territorin e Shqipërisë.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi, më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanaj. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, së bashku me armën e krimit”, bën me dije Policia.
Në të njëjtën kohë, autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, janë shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me policitë homologe, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.
Sana u ekzekutua me tre plumba kallashnikovi fare pranë banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në kryeqytet. Autori e priti derisa ai po kthehej nga një gëzim familjar në qytetin e Lezhës. Ai paraqitej në rezistencë me emrin e kushëririt të tij, i cili u martua po atë ditë. Briken Sanaj, që në vogëli njihej me emrin Skerdilajd, ishte kthyer nga Italia kohët e fundit. Vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, plagosi 10 vite më parë Gentian Kolën, i cili prej asaj kohe mbeti invalid. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.