Autoritetet greke vazhdojnë hetimet ndaj Aleksandër Lucës dhe shokut të tij Manolis Koukouras lidhur me ngjarjen e rëndë në ishullin Rodos, ku studentja 21-vjeçare Eleni Topaloudi u vra tragjikisht. Dy ditë më parë, laboratori i mjekësisë ligjore të policisë greke konfirmoi se në hekurin me të cilin dyshohet se është qëlluar në kokë studentja, u gjetën gjurmë gishtash të 20-vjeçarit shqiptar
Mirëpo, hetimet duket se po marrin një rrjedhë tjetër, shkruan TV Klan. Shtypi grek raporton se pavarësisht faktit se janë gjetur shenja të gishtave të Aleksandër Lucës, kjo nuk do të thotë medoemos se ka qenë ai personi që ka qëlluar studenten. Analizat laboratorike nuk kanë përfunduar plotësisht pasi hekuri ishte hedhur në det dhe për shkak të qëndrimit të zgjatur në ujë ekziston mundësia që të mos gjenden të gjitha shenjat e gishtave. Dy të rinjtë kanë pranuar përfshirjen në krim, por akuzojnë njëri-tjetrin si personin që goditi me hekur në kokë Elenin.
Por a tregon rasti i kësaj shufre e i pandehuri grek po favorizohet nga drejtësia greke?
Sipas gazetës Ta Nea, avokati i viktimës, Alexis Kugia ka hedhur akuza se nga rrjedhja e dokumenteve hetimore, duket sikur po favorizohet një nga dy të akuzuarit, pikërisht banori grek, prindërit e të cilit janë persona të rëndësishëm në botën e biznesit në Rhodes.
Kurse mamaja i të pandehurit grek ka thënë se ai ishte në trajtim për rehabilitim nga varësia prej drogës.
Ndërkohë, Luca ka rënë pre e dhunës në qeli nga një grup të burgosurish grekë.


