Ka marrë fund arratia e 49-vjeçarit Besnik Pjetri, i cili në muajin gusht të këtij viti ekzekutoi me armë zjarri në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij.
I shumëkërkuari u vu në pranga mëngjesin e së premtes nga forcat RENEA. Ai u kap në një banesë të braktisur në fshatin Kaçinar të Mirditës. “Si rezultat i këtij operacioni, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive, duke përdorur forma dhe teknika speciale hetimi, u bë i mundur lokalizimi në një banesë të braktisur, në fshatin Kaçinar, Mirditë, si dhe kapja e vënia në pranga e shtetasit Besnik Pjetri 49 vjeç, banues në Troshan, Lezhë”, sqaroi Policia.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 49-vjeçarit, në mungesë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga veprimet hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, rezulton se 49-vjeçari, më datë 29.08.2022, për shkak të një konflikti me familjarët e ishbashkëshortes së tij, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Pjerin dhe Gent Perjaku (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së tij), përkatësisht 56 dhe 32- vjeç. Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash sapo kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre nëe fshatin Grykë Zezë dhe nga plagët e marra gjetën vdekjen e menjëhershme.
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes identifikoi autorin, por pa arritur që ta prangosë dhe prej më shumë se 3 muajsh ai qëndronte në arrati. Babë e bir ishin kthyer ditën e ngjarjes nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin pasur një dasmë në vendlindje tek disa të afërm të tyre. Siç duket ishdhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banese është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash.
Pjetri, i cili ishte babai i dy vajzave ishte divorcuar, prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij dhe që prej asaj kohe kishte pasur konflikte të vazhdueshme më ish-gruan dhe familjen e saj, madje për këtë çështje ishte arrestuar dhe nga policia në Itali dhe kishte qëndruar për rreth 2 vite në burg. 49-vjeçari pretendonte se familja e ishnuses së tij i kishte borxhe dhe nuk ja kishin kthyer, ndërsa së fundmi nuk e kishin lejuar të takonte as vajzat çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë.


