Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq Isuf Hasën, 64-vjeçarin, i cili më 13 Janar të këtij viti vrau fqinjin e tij, Xhemal Meta. Ngjarja u regjistrua në fshatin Shëngjin i Vogël, në Shëngjergj të Tiranës.
Hasa ka pranuar para prokurorisë se e vrau fqinjin pasi kishin pirë kafen e mëngjesit.
Ai kishte akumuluar mllef ndaj Metës prej kohësh pasi viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe nuk e dinte çfarë bëhej me gruan e tij.
Hasa ka pranuar gjithashtu se i ka marrë edhe një sasi parash që viktima e mbante gjithnjë me vete të lidhur me një qese në qafë.
“Për shkak të marrëdhënieve të afërta që ekzistonin midis tij dhe viktimës, shtetasi Isuf Hasa ishte në dijeni të faktit që viktima mbante gjithmonë një qese me vete të lidhur në qafë, ku gjendeshin paratë e tij dhe pasi kreu aktit e vrasjes u largua drejt shtëpisë së vajzës së tij në Vorë, ku la armën e krimit dhe sasinë monetare”, njoftoi prokuroria.
Hasa e vrau fqinjin e tij me një çeçik duke i shkaktuar dëme të mëdha në kokë.
Ndaj 64-vjeçarit Hasa rendon vepra penale e vjedhjes me pasojë vdekjen në dëm të shtetasit Xhemal Meta. Nëse shpallet fajtor ai rrezikon deri në burgim të përjetshëm.
“Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.